
Menu
Rreth Nesh
Një qendër e pavarur për etikë, dije dhe drejtësi në kujdesin shëndetësor.
Instituti i Bioetikës në Shqipëri është një qendër kërkimore e pavarur, e përkushtuar në zhvillimin e mendimit etik dhe politikave publike për një sistem shëndetësor më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. E themeluar nga ekspertë me përvojë ndërkombëtare në bioetikë, drejtësi, mjekësi dhe politika shëndetësore, ky institut synon të bëhet një pikë referimi në rajon për analizën e çështjeve komplekse që lidhen me jetën, teknologjinë dhe shëndetin publik.
Vizioni Ynë
Të ndërtojmë një Shqipëri ku bioetika nuk mbetet vetëm në teori, por shndërrohet në praktikë vendimmarrëse për kujdesin shëndetësor, teknologjinë dhe politikën publike.
Çfarë Bëjmë?
-
Kryejmë kërkime etike ndërdisiplinare
-
Hartojmë udhëzime politike dhe strategjike
-
Zhvillojmë dialog publik dhe formim profesional
-
Promovojmë barazi, dinjitet dhe kujdes të ndjeshëm etikisht
Pse Bioetikë?
Nga teknologjitë gjenetike te fundi i jetës, nga e-pharmacy te turizmi mjekësor, ne besojmë se çdo inovacion kërkon një reflektim të thelluar etik. Në mungesë të rregullave të qarta, rrezikojmë të minojmë sigurinë, drejtësinë dhe besimin publik në sistemin shëndetësor.

Historia e Institutit
Nga një vizion personal drejt një misioni kombëtar për etikën në shëndetësi.
Instituti i Bioetikës në Shqipëri lindi nga përvoja personale dhe profesionale e themelueses tonë, eksperte në kërkime dhe politika shëndetësore në arenën ndërkombëtare. Pas katër vitesh si kërkuese me Universitetin e Harvardit, Nuffield Council on Bioethics dhe General Medical Council në Mbretërinë e Bashkuar, ajo vendosi të rikthejë dijen dhe përkushtimin e saj në vendin e origjinës.
Pasi evidentoi zonat në të cilat mungojnë parametra në etikën e kujdesit shëndetësor në Shqipëri, që nga mungesa e kornizave rregullatore për riprodhimin e asistuar e deri te mungesa e protokolleve etike për kujdesin paliativ, u krijua kjo platformë për një qendër të pavarur e cila nuk do të ishte as akademike e as shtetërore, por që do të vepronte si një aktor ndërmjetës dhe kritik në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të ndjeshëm, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.
Momente kyçe:
-
2022: Nisma fillestare për themelimin e institutit dhe hartimi i projekteve për Shqipërinë
-
2024: Krijimi i platformës kërkimore të pavarur dhe bashkëpunimi me aktorë vendorë e ndërkombëtarë
-
2025 e në vijim: Zhvillimi i projekteve për kujdesin paliativ, e-pharmacy, shëndetin mendor, etikën e embrioneve dhe teknologjive gjenetike